Nga Bedri Alimehmeti 19.08.2015 16:45
In memmoriam në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të futbollistit, që 17 vjeç veshi fanellën bardheblu. AlbanianSport.com ju sjell në disa pjesë këtë dosier dhe sot është pjesa e parë e tij.
Njëra nga rrugicat e shumta që “derdhet” në rrugën “Fortuzi” është edhe ajo që mban emrin e themeluesit të qytetit të Tiranës, Sulejman Pashë Bargjini. Padyshim ajo është ndër më të vjetrat e qytetit dhe tejet e rëndësishme për nga funksioni që kryen, sepse nëpërmjet saj gjendesh shumë shpejt në qendër të Tiranës. Dhe pikërisht në “zemër” të kësaj rruge ndodhet edhe sot përqendrimi i fisit të njohur tiranas Nurishmi, atje ku më 14 maj 1950 në familjen e Hysen Nurishmit, këtij adhuruesi të skuadrës bardheblu që në kampionatet e parë të “topkëmbës” shqiptare, lindi Astriti.
Dhe aty nëpër gurët e kalldrëmit të kësaj rrugice, ende i njomë, ai rendi së pari pas një topi të vogël prej llastiku (45 lekësh siç i quanin fëmijët e asaj kohe), që kishte prodhuar në ato vite “NISH Goma” e Durrësit. Më pas, me bashkëmoshatarët në oborrin e shkollës 7-vjeçare “10 Korriku” (sot gjimnazi “Sinan Tafaj”), për orë të tëra harroheshin duke luajtur, derisa prindërit të shqetësuar vinin e i merrnin pasditeve vonë. Në Tiranën e asaj kohe luhej pafundësisht futboll, madje kudo nëpër rrugica, sheshe të vegjël midis mëhallave, që kryeqyteti në atë kohë i kishte të shumtë.
E jo vetëm kaq, por dhe në oborret e shkollave dhe sidomos në Pallatin e Pionierëve, që kishte hapur dyert më 1957 dhe rregullisht çdo vit në verë organizonte kampionatet e rrugicave. Dhe pikërisht në këto kampionate spikati për herë të parë mes shokëve Astrit Nurishmi. Ai me shpejtësi ka tërhequr vëmendjen e trajnerëve të Tiranës, Osman Caslli dhe Osman Reçi. Të dy së bashku merreshin me përgatitjen e moshave të Tiranës pranë klubit “17 Nëntori”.
Pas kësaj, Astriti me fanellën bardheblu në shtat mori pjesë disa herë nëpër spartakiadat kombëtare të pionierëve duke dëshmuar se bëhej fjalë për një talent, që premtonte shumë. Dhe madje se ishte i tlllë, pa i mbushur të 15-tat, ai u bë pjesëtar i ekipit të të rinjve të Tiranës, që stërvitej nga trajneri i njohur Xhavit Demneri. Madje, duhet thënë se, ishte pikërisht ky trajner, i cili me intuitën e tij të pagabueshme kishte pikasur tek i riu Nurishmi, një mesfushor që do t’i shërbente në të ardhmen skuadrës bardheblu.
Skeda
Emri: Astrit
Mbiemri: Nurishmi
Vendlindja: Tiranë
Datëlindja: 14 maj 1950
Roli: Mesfushor
Numri në fanellë: 2
Ekipet ku ka luajtur:
Të rinjtë e Tiranës: 1965-1967
Të rriturit e Tiranës: 1967-1970
Besa e Kavajës: 1970-1972
Trofe të fituara:
Dy herë kampion me Tiranën më 1968 dhe në sezonin 1969-1970.
U nda nga jeta: më 19 gusht 2005
Vijon nesër…