AlbanianSport.com 19.08.2015 14:35
ASNN – Procesi i njohjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare sportive vazhdon me ritme të shpejta dhe sporti i radhës është pikërisht “Mbretëresha e Sporteve”, atletika. Sikundër është bërë e ditur sot, Kosova është pranuar si anëtare e Federatës Ndërkombëtar të Atletikës, që njihet me shkurtimin “IAAF”.
Në mbledhjen e sotme të Kongresit të këtij organizmi që qeveris atletikë botërore dhe që po mbahet në kryeqytetin e Kinës, Pekin, ishin të pranishme 211 anëtare të kësaj organizate, ndërsa për Kosovën votuan 187, kurse kundër ishin 13 vende.
Përveç, Kosovës, në këtë organizatë ndërkombëtare të sportit të atletikës u pranua edhe Sudani Jugor, për të cilin votuan 192 vende, ndërsa 12 ishin kundër.
Që me pranimin e Kosovës në Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, procesi i njohjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare sportive është përshpejtuar ndjeshëm.
Ndërsa pengesa e fundit madhore mbetet pranimi në organizmin që qeveris futbollin botëror, FIFA.