AlbanianSport.com 19.08.2015 11:20
ASNN – Ish-sportisti legjendar, Sebastian Koe është presidenti i ri i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF). Në zgjedhjet e zhvilluara këtë mesjavë, britaniku mori 115 vota duke mposhtur në këtë garë ukrainasin Sergej Bubka, për të cilin shkuan në favor 92 vota. Sebastian Koe, ish-kampion olimpik, do të zëvendësojë në krye të IAAF-së senegalezin Lamin Diak, me këtë të fundit që e drejtoi institucionin më të lartë të atletikës në botë për 16 vjet.
“Jam i kënaqur për besimin që u tregua ndaj meje nga familja e atletikës botërore”, – ishte komenti i vetë Sebastian Koes në rrjetin social “Twitter”, menjëherë pas publikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Ndërsa kandidati tjetër, kërcyesi së larti, Sergei Bubka, pranoi disfatën dhe theksoi se është i sigurt se atletika në të ardhmen do të përmirësohet akoma më shumë. Sebastian Koe është cilësuar si një legjendë e atletikës britanike ndër vite.
Gjatë karrierës së tij si sportist ai fitoi medaljen e artë në 1500 metra dhe medaljen e argjendtë në 800 metra në Lojërat Olimpike të viteve 1980 dhe 1984. Ai gjithashtu ka fituar 1 medalje të artë, 2 argjendi dhe 1 bronzi në 3 kampionate evropiane. Sebastian Koe ka thyer edhe disa rekorde. Në vitin 1979, në harkun e 41 ditëve, ai vendosi 3 të tillë për t’u bërë i pari atlet që shënon kohët më të mira në 800, 1 000 dhe 1500 m në të njëjtën kohë.