AlbanianSport.com 19.08.2015 07:00
ASNN – Portieri Etrit Berisha e nisi titullar ndeshjen e djeshme që Lacio zhvilloi në kuadër të “play-off”-it të Ligës së Kampioneve ndaj gjermanëve të Bajer Leverkusenit. Zbritja e Berishës në fushë u mundësua dhe nga fakti se portieri i parë, Marketi, u dëmtua pak ditë më parë.
Për trajnerin Xhovani De Biazi këto janë sinjale pozitive në prag të ndeshjeve të ardhshme të Kombëtares ndaj Danimarkës dhe Portugalisë. Edhe lojtarët e tjerë gëzojnë formë të mirë dhe këtë herë trajneri do ta ketë të vështirë të zgjedhë më të mirët.
Pritet që De Biazi të ftojë në grumbullim më shumë se 25 futbollistë, në mënyrë që të ketë ide më të mirë për formën e tyre dhe mundësitë e lëvizjes në skemën taktike. Kështu, Etrit Berisha e nis si titullar dhe me fitore sezonin në Ligën e Kampioneve me Lacion, që fitoi 1-0 ndaj Leverkusenit
Gardiani kuqezi pati pjesën e tij në suksesin e rëndësishëm të Lacios në “Olimpiko” të Romës, ku, përballë gjermanëve më në formë fizikisht, skuadra italiane arriti një fitore të vogël 1-0, por që mund të rezultojë vendimtare për kualifikimin e saj për në fazën e grupeve.
Berisha, në fushë që nga minuta e parë për shkak të dëmtimit të portierit të parë, Marketit, bëri edhe pritje, por pati edhe fat. Bajer Leverkuseni ishte më mirë, edhe sepse Bundesliga tashmë ka nisur ndërsa Seria A, ende jo. Gabimet e kundërshtarëve në gjuajtje, shtylla, dhe një vendim i guximshëm i gjyqtarit e shpëtuan portierin shqiptar nga pësimi i golit.
Çalhanollu shënoi, por Kisling u gjykua në pozicion jashtë loje. Nuk dihet nëse Berisha do të jetë në formacion për takimin e dytë në Gjermani, javën e ardhshme, përballje ku Lacio shkon me epërsinë më të vogël të mundshme, pas golit të Keitasë, por me faktin e rëndësishëm se nuk ka pësuar gol.