AlbanianSport.com 18.08.2015 19:55
ASNN – Shqipëria e basketbollit të femrave ka dhënë shenja jete në ndeshjen e radhës të Divizionit B të Kampionati Evropian të Nën-16-vjeçareve, që po i zhvillon ndeshjet në Maqedoni, pasi përfaqësuesja kuqezi e kësaj grupmoshe ka luftuar, pavarsisht humbjes 39-53.
Në këtë sfidë, të vlefshme për vendet nga i 17-ti deri në të 20-tin, vajzat e drejtuara nga trajnerja Fiorentina Mitku kanë reaguar, duke luftuar pikë për pikë në 10-minutëshin e parë, të cilin e kanë humbur 10-13, edhe për shkak të një përpjekjeje të pafat për 3 pikë, që mund të kishte ndryshuar shifrat.
E njëjta tablo është edhe në pjesën e dytë, që mbyllet 11-14 në favor të fqinjeve lindore, duke bërë që ato të shkojnë në pushim të ndeshjes në epërsi 21-27. Ajo që i ka goditur vërtet vajzat kuqezi është pjesa e tretë, të cilën e humbin 4-11, duke rikthyer kështu fantazmat e ndeshjeve të mëparshme.
Por duket se biseda që trajnerja Mitku ka bërë me vajzat në pushim ka bërë efekt, sepse në pjesën e 4-t, vetëm një pikë ka bërë diferencën midis dy ekipeve, 14-15, ndërsa e gjithë ndeshja fitohet nga Maqedonia 53-39. Më 21 gusht, Shqipëria luan takimin e radhës me Norvegjinë.