Nga Gjergj Vyshka 09.10.2014 12:40
Mungesa e pagesave mujore, paçka se si shqetësim qëndron, nuk mund të jetë alibi për atë që u prodhua në fushën e lojës, sepse tifozët dinamovitë s’kanë kohë të mendojnë dhe të dinë se si i kanë hallet lojtarët që kanë marrë përsipër të veshin fanellën 64-vjeçare të Dinamos. Sepse duan fitoren, si dhe kërkojnë ngjitjen në Superiore të skuadrës së tyre të zemrës pas tre vjet rropatjesh në Kategorinë e Parë.
Ajo që duhet të dinë dinamovitët është fakti se llogaritë jo vetëm që duhen bërë me laps në dorë në Kategorinë e Parë, por dhe duhet të jenë të bëra mirë, sepse me dy ndeshje të humbura radhazi përfundon fare rastësisht në vendin e 9-të dhe të 10-të të grupit. Rregullorja e vendosur nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit në fillim të sezonit 2014-2015 është e tillë.
Dy të parat e grupit të Veriut dhe të Jugut ngjitet në Kategorinë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, dy të 10-tat zbresin në Kategorinë e Dytë, kurse dy të 9-tat ndeshen në “play-out” përkatësisht me të dytën e grupit të Veriut dhe të Jugut të Kategorisë së Dytë.
Parë kështu, përtej halleve financiare që kanë dinamovitët, të cilat drejtuesit e klubit duhet t’i zgjidhin menjëherë, sepse një lojtar nuk mund ta shtyjë vetëm me 10.000 lekë të rinj të një shpërblimi, Dinamo duhet të bëhet e ndërgjegjshme me vetveten se është një emër në Kategorinë e Parë që duhet të jetë sezonin e ardhshëm në Superiore.