AlbanianSport.com 18.08.2015 16:10
ASNN – Partizani ka kërkuar zyrtarisht në Federatën Shqiptare të Futbollit ndryshimin e rregullit të numrit të lojtarëve që duhen për një ndeshje. Pra sipas të kuqve të jetë jo më 18, sa dhe ka qenë deri më dje, por 20.
Dhe klubi i të kuqve, që një gjë të tillë e ka njoftuar nëpërmjet zyrës së shtypit, ka marrë eksperiencat e kampionateve të tjera dhe që janë më prestigjioze për nga niveli për të bindur Federatën Shqiptare të Futbollit për ndryshimin e këtij rregulli.
“Klubi i Partizanit niset për ta bërë këtë propozim duke marrë si shembull edhe ndryshimet që janë bërë në kampionatet e Italisë, Spanjë dhe Angli, – thuhet ndër të tjera në njoftimin e zyrës së shtypit të klubit të kuq.
Por, që ky ndryshim të hyjë në fuqi, duhet që Sektori i Garave në FSHF t’ia paraqesë Komitetit Ekzekutiv për ta shqyrtuar dhe për ta vendosur në mbledhjen e radhës. E deri atëherë i bie që të jenë luajtur të paktën dy javë.
Kështu që, një rregull i tillë i propozuar nga Partizani mund të jetë për sezonin e ardhshëm. Megjithatë tashmë Partizani e ka propozuar: 20 lojtarë në skuadër për një ndeshje.