AlbanianSport.com 18.08.2015 12:25
ASNN – Etrit Berisha luan si titullar me Lacion në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve kundër Bajer Leverkusen. Vjen pra një tjetër shans për Etrit Berishën. Në një kohë që e ardhmja e tij te Lacio është në dyshim, portieri i kombëtares shqiptare ka mundësinë më të mirë për t’i treguar klubit dhe trajnerit Pioli se largimi do të ishte një humbje e madhe.
Për ta bërë këtë Etrit Berisha ka një skenë të madhe si ajo e Ligës së Kampioneve. I destinuar për të qëndruar në stol për ndeshjen e së martës kundër Bajer Leverkusenit në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve, portieri kuqezi ka marrë “një dorë” pikërisht nga rivali i tij i katërkëndëshit, Federiko Marketi.
Portieri i parë i Lacios ka pësuar një dëmtim në seancën e fundit stërvitore dhe mundësitë që ai të luajë janë afër zeros. “Pas testeve mjekësore ka rezultuar se Marketi ka pësuar frakturë në dy brinjë”, – është shprehur përgjegjësi i stafit mjekësor të Lacios për mediat italiane.
Në këtë mënyrë, Etrit Berishës i jepet e drejta për të fituar një vend si titullar në sfidën e parë në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve, që Lacio do të luajë në “Olimpiko” të Romës kundër gjermanëve të Bajer Leverkusen. Një shans i artë ky për portierin e kombëtares shqiptare, emri i të cilit është përfolur shumë gjatë merkatos së verës.
Me objektivin për të patur më shumë hapësira në formacion, Etrit Berisha ishte në kërkim të një tjetër skuadre, por debutimi në veprimtarinë më të rëndësishme të futbollit evropian për klube mund të ndryshojë të ardhmen e portierit kuqezi. Ngandonjëherë, duhet edhe ca fat…