AlbanianSport.com 18.08.2015 11:40
Kur mbeten vetëm pak ditë nga nisja e Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Tirana duket e ende nuk i ka mbyllur punët me merkaton dhe vijon të shpresojë për një lëvizje të orës së fundit që mund t’i japë klubit përparësi në sezonin e ri. Edhe pse pretendimet janë shumë të mëdha, mënyra se si foli mbrëmë trajneri i bardhebluve, Shkëlqim Muça, dhe të cilit i referohen edhe mediat sportive të ditës, tregon se Tirana nuk mund të shihet favorite përballë Skënderbeut dhe Kukësit, që janë dukshëm ekipe më të fortë.
Kategoria Superiore do të hapë dyert këtë fundjavë për një tjetër sezon spektakolar dhe pjesa më e madhe e skuadrave po u japin dorën e fundit përgatitjeve përpara nisjes edhe pse lëvizjet në merkato vazhdojnë të mbajnë të mbërthyer vëmendjen te ajo që ndodh jashtë fushave stërvitore. Në kulmin e fazës përgatitore ka hyrë edhe Tirana që këtë sezon do të prezantohet me shumë fytyra të reja. Njëri prej tyre është trajneri Shkëlqim Muça, i cili debuton këtë sezon me ngjyrat bardheblu, edhe pse për Tiranën është një njohje e vjetër.
Trajneri 55-vjeçar tregohet i matur kur pyetet për merkaton, duke e pranuar se dera mbetet e hapur për afrimet, por nuk pranon të bëjë një koment në lidhje me emra konkretë. Ai përqendrohet te emra të përvetshëm siç është ai i Franc Veliut, i cili mbetet në “orbitën” bardheblu. Trajneri kryeqytetas preferon të flasë për grupin aktual dhe skuadrën që dëshiron të shikojë në fushë duke nisur që nga java e parë. “Gjithmonë një skuadër ka nevojë të përmirësohet por tani është vonë, gjithsesi mund të bëjmë ndonjë korrigjim të vogël sepse kemi nevojë për lojtarë cilësorë”, – ka thënë fillimisht ai.
“Kemi shumë lojtarë or jo të gjithë janë në të njëjtën fazë me përgatitjen, – ka vijuar trajneri i kryeqytetasve. – Duhet të përzgjedhim lojtarët që janë në gjendjen më të mirë.” Për trajnerin bardheblu, nuk është vetëm Skënderbeu një rival i fortë, pasi sipas tij, gjeografia e futbollit cilësor ka një shtrirje më të madhe në Kategorinë Superiore. “Nuk është vetëm Skënderbeu në garë sepse nisemi të gjithë të barabartë, – ka këmbëngulur Muça. – Natyrisht që ne respektojmë çdo skuadër, por gara këtë sezon do të jetë mes shumë skuadrave.”
Sidoqoftë, Muça e thekson që ky do të jetë një sezon shumë i vështirë por ai nuk pranon të bëjë parashikime për pritshmëritë që ka nga grupi i tij. “Do të jetë kampionat i fortë dhe, ndonëse nuk mund të bëj parashikime, shumë ekipe besoj se do të vazhdojnë
në rrugën që kanë nisur sezonin e shkuar”, – përfundoi trajneri bardheblu Muça. Në stërvitjen e zhvilluar në kompleksin “Skënder Halili” u bashkua për herë të parë pas shumë muajsh me grupin edhe mesfushori Erando Karabeci, i cili konsiderohet plotësisht i gatshëm, duke u vënë nën urdhrat e trajnerit.