AlbanianSport.com 17.08.2015 14:20
ASNN – Ermir Lenjani do të luajë për Nantën këtë sezon. Marrëveshja me klubin e Renës është arritur dhe mesfushori i Kombëtares kuqezi do të huazohet për një vit me të drejtë blerje te kundërshtari në Ligën 1, siç njihet niveli më i lartë i kampionatit të futbollit në Francë.
Një lëvizje për të gjetur më shumë hapësirë, të cilën nuk pati në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar. Dëmtimi i gjatë dhe minutat e pakëta që u aktivizua sollën largimin e tij. Lenjani e nisi këtë kampionatin në stol, duke hyrë në fushë në minutën e 13-të në humbjen 1-2 në fushën e Bastias.
26-vjeçari u transferua te Rena janarin e kaluar, pasi ra në sy në miqësoren Francë-Shqipëri, që përfundoi në barazim 1-1. Ai firmosi me Renën një kontratë deri në qershor të 2017-s. Ermir Lenjani është bërë pjesë e Kombëtares së Shqipërisë prej gati 2 vitesh tashmë.
Ai ndihmoi kuqezinjtë në barazimin 1-1 me Danimarkën shtatorin e kaluar duke realizuar golin për Shqipërinë. Lajmi është konfirmuar nga të dy skuadrat, ndërsa Lenjani do të jetë i huazuar për një edicion me të drejt blerje. Ai dëshiron një skuadër ku mund të luajë rregullisht, pasi dëshiron të ruajë vendin në kombëtaren shqiptare