AlbanianSport.com 09.10.2014 11:10
ASNN – Sipas mediave lokale në Shkodër, periudha e ndërprerjes së kampionatit të Kategorisë Superiore dhe asaj të Parë, do të shfrytëzohet nga drejtuesit e Vllaznisë për të zhvilluar dy ndeshje miqësore. Kështu, duke u nisur nga programi stërvitor i javës që është publikuar nga ana e trajnerit Raineri, konstatohet se të premten dhe të shtunën do të organizohen dy ndeshje miqësore.
Të premten mendohet që kuqeblutë të luajnë me Adën e Velipojës, ndërsa të shtunën me Tërbunin e Pukës. Këto ndeshje do t’i shërbejnë stafit drejtues për të korrigjuar gabimet e vërejtura në ndeshjen e fundit me Laçin. Skuadra dje dhe sot e ka pasur pushim nga që nuk do ketë ndeshje zyrtare këtë fundjavë për shkak të takimeve të kombëtares shqiptare.
Seancat stërvitore do të nisin nesër për t’u konkretizuar sme dy miqësoret përballë Adës dhe Tërbunit. Siç dihet, Vllaznia edhe përpara fillimit të kampionatit ka luajtur përballë këtyre skuadrave duke matur forcat e veta dhe po ashtu duke testuar edhe disa nga futbollistët e ardhur nga tregu i lëvizjeve të futbollistëve.