AlbanianSport.com 16.08.2015 22:05
ASNN – Sokol Cikalleshi spikati që në takimin e parë në kampionatin turk. Sulmuesi i Kombëtares dha pasimin për golin e parë të Bashakshehir Beledijesporin dhe realizoi të dytin. Megjithatë kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen 2-3 me Antaliasporin, ku luan Samuel Eto’o.
Futbollisti nga Kameruni shënoi 2 gola në këtë takim, pikërisht ata që përcaktuan fitoren. Megjithatë paraqitja e Sokol Cikalleshit duhet vlerësuar, pasi jep sinjale për një tjetër sezon të suksesshëm pas atij me RNK Split në Kroaci. Këtë sezon në këtë ekip është mbrojtësi shqiptar Amir Rrahmani.
RNK Split pësoi humbjen e parë duke lënë edhe kreun e renditjes. Dinamo e mundi me rezultatin 3-0 në takimin e zhvilluar në Zagreb. Ekipi i njohur kroat do të jetë kundërshtari i Skënderbeut në “play-off”-et e Ligës së Kampioneve. Barazim për Rijekën e Bekim Balajt dhe Odise Roshit, pasi pa gola përfundoi sfida e javës së 6-të me Hajdukun e Splitit.