AlbanianSport.com 09.10.2014 09:40
ASNN – Bluzinjve të Luftëtarit u është “qepur goja” të flasin për mediet sportive pas dy humbjeve radhazi në shtëpi. Dhe kjo heshtje për shtyp, për shkak të këtyre rezultateve negative të papritura, është pa afat. Tashmë stafi teknik i gjirokastritëve, me në krye Bledar Devollin, ka nisur të mendojë menjëherë kthimin e bluzinjve tek rezultatet pozitive.
Skuadra ka ditë që ka lënë stadiumin e qytetit dhe është duke bërë stërvitje në kompleksin “Lefter Millo” në Derviçian, kurse ndërprerja e kampionatit duket se do ta ndihmojë këtë ekip për përmirësimin e shumë gjërave. Trajneri Devolli është çdo ditë me dosje në dorë, ndërsa është duke projektuar të reja në seancat stërvitore në mënyrë që Luftëtari të dalë sa më shpejt nga kriza.
Ndërkohë në kompleksin stërvitor pranë stadiumit, punimet janë drejt përfundimit, ndërsa pritet vetëm shtrimi i tapetit, i cili do të vijë nga një firmë turke. Këtë kompleks, në të cilin tashmë ka përfunduar dhe rrethimi i duhur, e ka inspektuar ditë më parë dhe një grup i UEFA-s. Inspektuesit kanë mbetur të kënaqur nga punimet, ndërsa kanë dhënë miratimin e tyre për shtrimin e tapetit.