Gjergj Vyshka 16.08.2015 10:25
Shqipëria e basketbollit vazhdon të vuajë, ndërsa Kombëtarja e Nën-16-vjeçareve për femra është shndërruar në një dramë e madhe. Jo vetëm pasqyrë e një kampionati mediokër të moshave, por mbi të gjitha e paaftësisë teknike për të përgatitur këto vajza, që nesër duhet të ishin e ardhmja e sportit të koshit në vend. Në Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe ne jemi skuadra që jemi kthyer në “tabelë qitjeje”, atje ku çdo kundërshtar vendos rekorde, të cilat do të jenë të vështira për t’u thyer nga të tjerë.
Dje jemi mundur me 102 pikë diferencë nga Rumania, e cila po të kishte pasur dhe më shumë kohë mund të kishte shënuar dhe më shumë. Fekollari dhe Dalipaj me nga dy dypikësha, por dhe Toska me trepikëshin e saj të vetëm janë pasqyra e asaj që kuqezinjtë kanë paraqitur në parket. Fillimi është marramendës, sepse Rumania është shkëputur menjëherë 11-0. Vjen trepikëshi i Toskës, por më pas Rumania nuk ndalet dhe me një rezultat të pjesshëm 6-0 ka thelluar në 17-3.
Kosh Fekollari, por shënojnë dhe rumunët dhe në fund të pjesës së parë shënohet 19-5. Shqipëria nuk ekziston në fushën e lojës, ndërsa Rumania vetëm shënon në çdo sulm, aq sa arrin të shkëputet 34-5 ose me një rezultat të pjesshëm 15-0. Vjen si për ngushëllim një kosh i vetëm i tonave, veçse rumunet nuk falin dhe në fund të pjesës së dytë e në pushim shkojnë me epërsinë 44-7. Një shkëputje prej 20 pikësh diferencë në pjesën e tretë kundrejt asnjë koshi të shënuar nga ana jonë dhe 64-7.
Shënojmë përsëri e kaq. Edhe një herë tjetër furtuna rumune, me një epërsi të pjesshme 19-0 dhe në përfundim të pjesës së tretë diferenca shënon 74 pikë në favor të Rumanisë, 83-9. Drama nuk ka fund për tonat, sepse Rumania ka arritur në një diferencë prej 102 pikësh, 111-9. Shënojmë përsëri dhe në fund 113-11 për rumunet. Shifrat flasin vetë, kur në gjuatje me aksion Rumania ka realizuar 46 nga 91 tentativa ose 51 %, ndërsa vajzat kuqezi 4 nga 48 ose 8 %.
Rumani – Shqipëri 113-11
(19-5, 25-2, 39-2, 30-2)
Rumania: Popesku (5), Ferariu (16), Dumitresku (18), Parau (5), Ghita(12) / Salationan (16), Orban (11), Tanase (4), Brezoi (8), Spier (9), Al Ash Hab (6), Virjoge. (3) Trajner: C. Tanase
Shqipëria: Zllatiçanin, Toska (3), Hasanaj, Shima, Fekollari (4) / Sinani, Dalipaj (4), Kraja, Haris. Trajnere: F. Mitku
Gjyqtarë: M. Vladiç (Austri), A. Smith (Skoci), H. Hilke (Finlandë)