Adriatik Balla 15.08.2015 17:15
Çmimet e biletave Klubi i Skënderbeut ka njoftuar tifozët për çmimin e biletave qe do të dalin nga sot në treg dhe çmimi për një biletë varion nga 300 lekë të reja në 6 mijë lekë të reja, që do të thotë se ka mundësi për të gjithë. Kuptohet, pjesa e “të pasurve” ka karriget e veta dhe këtu çmimi është shumë herë më i lartë, por pas portave dhe në tribunat qendrore çmimi nuk shkon më shumë se 2 mijë lekë të reja.
Kështu, klubi ka njoftuar se çmimi i biletës për tribunën VIP do të jetë 6 mijë lekë të reja, ku përfshihet dhe kateringu dhe pijet falas. Në tribunën kryesore çmimet variojnë nga 2,000 deri në 4,000 lekë, pas porte vetëm 300 lekë, ndërsa një vend në tribunën D dhe F kushton 500 lekë. Klubi bëri të ditur se do të ofrojë autobusë falas dhe pa limit për transportin e tifozëve korçarë drejt Elbasanit.
Interesimi i madh i tifozëve vë njëkohësisht klubin para përgjegjësive më të mëdha për mbarëvajtjen e sigurisë, nga Skënderbeu njoftojnë se në stadium për ndeshjen me Dinamon do të jenë plot 250 roje sigurie, tjetër rekord ky për sa i përket angazhimit të një firme private në stadiumet shqiptare, ndërkohë që do të ketë edhe një mbledhje të klubit me strukturat përkatëse për të përcaktuar edhe planin përfundimtar të masave.