AlbanianSport.com 15.08.2015 13:45
ASNN – Legjenda bardheblu: “Qëllimi është ndërtimi i futbollit me baza të forta në Mamurras, jo vetëm për tani, por dhe për të ardhmen. E në fund ngjitja në Superiore. Për mua si trajner do të flasë fusha e lojës, ndaj do t’i përmbahem këtij motivi”. Kështu e ka nisur bisedën e tij për mediat sportive të ditës, trajneri i ri i Mamurrasit, Agustin Kola. Atë që japin futbollistët në fushën e loëjs dhe ajo që shfaqet gjatë proçesit të stërvitjes është pasqyrë e punës që bëjnë trajnerët, si dhe lojtarët bashkë. “Ky ekip do të ndërtohet mbi bazat e elementit futbollistik dhe koha është e mjaftueshme për t’i paraprirë përgatitjeve”, – ka thë ai.
“Nuk dua të luajmë rolin e politikanit, por atë të trajnerit që ka rezultatin si bazë të punës së tij”, – ka shtuar Kola, ndërsa të gjithë tek Mamurrasi tashmë janë të preokupuar për të bërë më të mirën deri në fillimin e kampionatit më 12 shtator 2015. “Në fillimin e javës së ardhshme do të bëj të njohur dhe emrat e futbollistëve që do të përfaqësojnë Mamurrasi, pasi për mua është ende herët të përcaktojmë se cilët janë ata lojtarë që do të jenë formacionin e këtij ekipi, – ka vijuar trajeri i ri. – Nga përvoja ime si ish-futbollist, vëzhguar dhe nga trajnerët e shquar që kam pasur gjatë karrierës sime, do të përpiqem të ndjek atë më të mirën.”
“Ndaj nuk mund të eksperimentoj me lojtarët që nuk janë aktivë, – ka sqaruar Kola. – Gjatë ditëve që kam nisur stërvitjen po shoh që janë të preokupuar i gjithë stafi dhe drejtuesit e skuadrës së Mamurrasit. Madje janë të devotshëm dhe njerëz nga pushteti vendor, që po ndjekin ecurinë e ekipit. Kjo më entuziazmon dhe mua si trajner duke me motivuar për një punë akoma dhe më të madhe në përmirësimin e asaj që do të jap për Mamurrasin si trajner. Besoj që ky ekip do të justifikojë gjithçka, ndërsa presidenti Ndreca është duke bërë gjithçka që në skuadër të ketë dhe ndonjë lojtar nga Kategoria Superiore.”
“Por e theksoj, javën e ardhshme e zbardh listën e lojtarëve të skuadrës për sezonin e ri futbollistik 2015-2016. Ne të gjithë bashkë kemi marrë iniciativën për të ndërtuar futbollin në Mamurras me baza të forta, jo vetëm për sot, por dhe për të ardhmen. E qëllimi final është ngjitja në elitën e futbollit shqiptar”, – ka përfunduar trajneri i ri i Mamurrasit, Agustin Kola.