AlbanianSport.com 15.08.2015 09:40
ASNN – Përkundër zërave që flisnin për një largim të mundshëm apo të paktën për një huazim të tij në një tjetër klub, Adnan Januzaj ka treguar se nuk do të dorëzohet lehtë dhe do të luftojë për vendin e tij në formacionin titullar të Mançester Junajtid.
Dhe mbrëmë ai e ka dëshmuar qartë vendosmërinë e tij, duke shfrytëzuar më së mirë mundësinë që trajneri i dha dhe duke shënuar golin që i dha “Djajve të kuq” 3 pikët e fitores në fushën e Aston Vilës.
Januzaj ishte i vetmi ndryshim në 11-shen e parë që trajneri holandez, Luis Van Gal, bëri nga ndeshja e javës së parë me Totenhemin dhe shqiptari me pasaportë belge e ka përligjur plotësisht besimin e dhënë.
Ai ka nisur dhe ka përfunduar me sukses një aksion të skuadrës së tij, duke goditur saktë zgjuarsisht brenda zonës dhe duke përshëndetur rrjetën, edhe i ndihmuar nga një devijim.
Goli i tij i ka dhënë Mançester Junajtid fitoren e dytë radhazi në këto dy javë të para, duke konfirmuar statusin e saj si pretendente për titullin “kampion” në këtë sezon të Premier Ligës Angleze.