AlbanianSport.com 14.08.2015 18:00
ASNN – Nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë pasdite për mediat, Federata Shqiptare e Futbollit informon të gjithë opinionin publik se për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Portugali do të fillojë zbatimin e një protokolli sigurie të niveleve më të larta. “Biletat për këtë ndeshje dhe për të gjitha ndeshjet e tjera në vijim do të shiten të personalizuara më emër dhe mbiemër të mbajtësit në çdo biletë”, – shkruhet në njoftimin e afishuar edhe në faqen zyrtare në Internet të organizmit të qeveris futbollin shqiptar.
“Të gjithë tifozët e pajisur me biletë duhet të shkojnë në stadium patjetër të pajisur edhe me një dokument identifikimi, që duhet të jetë kartë identiteti ose pasaportë biometrike, – vijon më tej FSHF-ja në njoftimin e saj për shtyp. – Në çdo hyrje të stadiumit do të ketë kontroll të rrepta për verifikimin e dokumentit të identitetit dhe në rast mospërputhjeje midis emrit në biletë dhe dokumentit të paraqitur, personat nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.”
“Për sa më lart është një masë shtesë sigurie por edhe për të parandaluar fenomenin e njohur si “treg i zi” dhe problematika të tjera që janë në dëm të publikut dhe mbështetësve te futbollit. Shpresojmë dhe urojmë që të kemi mirëkuptim dhe bashkëpunim në shkallë sa më të gjerë për të patur në të ardhmen ndeshje futbolli sa më të kontrolluara dhe të garantuara dhe një organizim më të mirë dhe më efikas”, – përfundon njoftimi i shpërndarë pasdite për mediat nga Federata Shqiptare e Futbollit.