Gjergj Vyshka 14.08.2015 15:15
Shqipëria e Nën-19-vjeçareve në futboll për femra, pas miqësores së fituar në qershor në Malin e Zi, me rezultatin 4-2, tashmë përgatitet për dy teste të tjera. Kështu, sipas lajmërimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo Kombëtare, e drejtuar nga trajneri Nevil Dede do të luajë dy takime miqësore me Nën-19-vjeçaret e Bosnjë-Hercegovinës.
Ndeshjen e parë e ka më 18 gusht në ora 16:30 në qendrën sportive të Zenicës, kurse të dytën më 20 gusht në ora 10:00, po në të njëjtin impiant. Në prag të këtyre dy miqësoreve, trajneri i kombëtares së Nën-19-vjeçareve, Nevil Dede do të deklaronte: “I vlerësojmë si dy teste të rëndësishme përballjet me Bosnje-Hercegovinën”.
“Kjo, sepse na vlejnë për të parë gjendjen reale të futbollisteve, – ka vijuar ish-futbollisti i Tiranës dhe Kombëtares kuqezi. – E jo vetëm kaq, por na vlejnë edhe për të konsoliduar grupin e futbollisteve ku dhe do të mbështetemi për pjesëmarrjen në Eliminatoret e Evropianit.”
Ja dhe lista e futbollisteve të grumbulluara:
Djellza Musa (Kosovë), Ardiona Raxhimi (The Door), Valbona Lipe (Kukësi), Anxhela Aliu (Shkodër), Merva Gerberi (Apolonia), Esmeralda Franja (Kukësi), Majlinda Kadolli (Kosovë), Mirsada Skutina (The Door), Desantina Koldashi (Kukësi), Paula Jaku (Juban Danja), Endrina Elezaj (Vllaznia), Elmedina Shega (The Door), Egzona Zeka (Kosovë), Ajdena Mustafaj (Juban Danja), Ambra Gjergji (Kinostudio), Uendi Muja (Vllaznia), Alma Hilaj (Vllaznia), Valbona Popa (Apolonia), Greis Domi (Fiorentina).