AlbanianSport.com 14.08.2015 13:25
ASNN – Çështja “Karneiro”, e cila ka përfshirë klubin londinez të Çellsit, duket se nuk do të mbyllet kaq lehtë sa ç’ishte menduar në fillim, pasi tashmë i ka kaluar kufinjtë e sportit, duke u shndërruar në një debat mbi etikën profesionale dhe pabarazinë gjinore. Ndonëse Zhoze Murinjo ka këmbëngulur se nuk do të tërhiqet, hierarkia e klubit të Çellsit, përfshirë edhe presidentin Roman Abramoviç, duket se nuk janë të lumtur me sjelljen e trajnerit portugez, për më tepër që mjekja Karneiro po shqyrton mundësinë e paditjes së Murinjos dhe klubit londinez për shkelje të të drejtave të saj.
Ajo që nisi si një reagim i çastit, i ndjekur nga një deklaratë e ashpër për mediat, një postim në “Facebook” dhe një pezullim i njërës protagoniste prej tjetrit, tashmë duket se po kthehet në “autogol” për Zhoze Murinjon. Mjekja e parë e klubit të Çellsit, dhe ajo që bëri bujë si e para mjeke femër në këtë nivel të sportit të meshkujve, Eva Karneiro, ka rënë viktimë e sensit të tepruar të protagonizmit të trajnerit portugez të londinezëve. Në një moment të lojës në ndeshjen e javës së parë të Premier Ligës, ku “blutë” e Londrës nuk shkuan dot më larg se një barazim 2-2 në fushën e vet me Suonsin, Karniero dhe stafi i saj u thërritën në fushë për shkak të një dëmtimi të Eden Hazardit.
Në atë kohë, skuadra e Çellsit ishte me 10 lojtarë në fushë dhe mbajtja e Hazardit jashtë e la ekipin për pak kohë me 9 lojtarë përballë skuadrës mike dhe kaq mjaftoi që “I Veçanti” të tërbohej dhe mllefin e shkarkoi të gjithin në drejtim të Karneiros dhe kolegut të saj. Ai e akuzoi atë si naive dhe e gjithë skena u kap nga kamerat e pranishme në “Stemford Bridxh”. Në përfundim të ndeshjes, i pyetur nga gazetarët për këtë incident, ai tha se, nëse është mjek apo sekretare, një person që ndodhet në stolin e ekipit duhet të marrë vesh nga futbolli.
Ashpërsia e tij ndaj Karneiros pasuan një reaksion kritikash ndaj trajnerit portugez dhe një mbështetje për mjeken simpatike. Kjo e fundit ka falënderuar të gjithë publikun për mbështetjen e dhënë, nëpërmjet një postimi në profilin e saj në rrjetin social, “Facebook”. Por pikërisht ky postim i saj duket se i ka kushtuar shtrenjtë, pasi, duke u justifikuar me një ristrukturim të strukturës mbështetëse dhe stafit mjekësor, “inatçori” Murinjo praktikisht e ka shkarkuar atë nga detyra.
Sipas asaj që raportojnë mediat britanike, Karneiro nuk do të ulet më në stolin e Çellsit gjatë ndeshjeve, nuk do të lejohet të hyjë në hotelin e skuadrës dhe as ta ndjekë atë nga afër në stërvitje. Ajo do të kryejë kryesisht detyra të dorës së dytë për llogari të klubit londinez. E gjithë kjo ka çuar në një stuhi mediatike dhe, ndonëse Murinjo ka këmbëngulur se nuk do të tërhiqet, hierarkia e klubit të Çellsit, përfshirë edhe presidentin Roman Abramoviç, duket se nuk janë të lumtur me sjelljen e trajnerit portugez, për më tepër që mjekja Karneiro po shqyrton mundësinë e paditjes së Murinjos dhe klubit londinez për shkelje të të drejtave të saj.