AlbanianSport.com 14.08.2015 12:30
ASNN – Pas gjyqtarëve, edhe vëzhguesit janë thirrur në një seminar treditor në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në këtë seminar, gjithnjë sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbolli, do të bëhet analiza e sezonit të kaluar. Ndërkohë të mërkurën është zhvilluar analiza me vëzhguesit e Kategorisë së Dytë.
Dje kanë qenë ato të Kategorisë së Parë, kurse sot do të jenë vëzhguesit e Kategorisë Superiore. Pas analizës vjetore të edicionit të kaluar futbollistik, në seminaret me vëzhguesit janë mbajtur dhe dy tema nga Plarent Kotherja dhe Albano Janku. Në fund është zhvilluar dhe testimi me video-test për vëzhguesit.
Dhe ky testim bëhet nga Komisioni i Vëzhgimit me kryetar Petrit Brahjen. Në këto seminare ka qenë i pranishëm edhe Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i Komitetit Drejtues të FSHF-së.
“Këto seminare janë shumë të rëndësishme për vëzhguesit, sepse nëpërmjet analizave të detajuara, ato ndjekin pjesët më problematike të edicionit. Ky proces i rëndësishëm shoqërohet edhe me testim, i cili ndjek nga afër ecurinë e vëzhguesve”, – ka thënë Petrit Brahja.