AlbanianSport.com 14.08.2015 07:55
ASNN – Në prag të sezonit të ri të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, i cili nis më 22 gusht 2015, Federata Shqiptare e Futbollit ka lajmëruar se gjyqtarët po përgatiten për seminarin e tyre të radhës. Është seminar vjetor, i cili do të zhvillohet nga data 18, deri më 21 gusht në mjediset e Hotel “White Dream” në periferi të kryeqytetit.
Pjesëmarrës në të, gjithnjë sipas informacionit që ka dhënë Federata Shqiptare e Futbollit, do të jenë gjyqtarët kryesorë dhe ndihmësit e tyre. Seminari fillimisht do të fokusohet në një analizë teknike të edicionit të kaluar, si dhe do të përqendrohet maksimalisht tek mangësitë që janë vënë re gjatë sezonit të kaluar.
Gjyqtarët do të njihen dhe me ndryshimet e reja në rregullore, të cilat vijnë nga Federata Botërore e Futbollit. E më pas ata do të testohen teorikisht, kurse testet praktike do t’i zhvillojnë në pistën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”. Këto teste për kryesorët do të zhvillohen më 19 gusht, nga ora 17:20, kurse për anësorët, më 21 gusht, nga ora 16:20.