AlbanianSport.com 13.08.2015 12:35
ASNN – Pas largimeve të shumta, Tirana ka filluar me blerjet, të cilat po i zyrtarizon çdo ditë. Bardheblutë kanë siguruar shërbimet e mesfushorit shkodran, Erjon Vucaj. Ish-futbollisti i Flamurtarit në sezonin e kaluar, Erjon Vucaj është bërë dje pasdite zyrtarisht pjesë e klubit bardheblu. Lajmin e ka konfirmuar vetë klubi, në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” edhe foton e lojtarit me fanellën e Tiranës.
Mesfushori 24-vjeçar nuk ka humbur kohë pasi sapo u bë një lojtar i lirë duke fituar gjyqin me Flamurtarin, i janë dashur vetëm pak orë për të përfunduar akordin me Tiranën dhe për tu bërë pjesë e skuadrës duke u prezantuar në mjediset stërvitore të klubit para miqësores me Korabin. Akordi është gjetur shumë shpejt dhe mesfushori ka mbërritur në “Skënder Halili”, i shoqëruar nga drejtori sportiv Devi Muka.
Shumë shpejt do të bëhet dhe prezantimi i tij përpara mediave. Pas afrimit të Zhilberto Fortunatos dhe rikthimit të Gentian Muçës, dje ka qenë radha e Erjon Vucaj për t’u bërë pjesë e skuadrës për sezonin 2015-2016. Ndërkohë, pak më herët se të zyrtarizohej Vucaj, klubi njoftoi rikthimin në shtëpi të Dorian Kërcikut, i cili pritej për të firmosur në Vlorë.
Por një telefonatë e presidentit Refik Halili ka bërë që mesfushori të ndryshojë rrugë duke u kthyer sërish te Tirana. Qëndron te Tirana ndërkohë edhe Edvan Bakaj, ditët e fundit një postim i tiji në rrjetet sociale ku paralajmëronte lamtumirën, kishte ushqyer raportet mediatike për largimin e portierit, por ai ka vendosur të qëndrojë dhe të luftojë për të kërkuar shanset e tij të aktivizimit në sezonin e ri.