Gjergj Vyshka 13.08.2015 08:00
I dërguari i FIBA-s do të vijë më 21 gusht, ndërsa “Asllan Rusi” dhe Elbasani do të jenë ato që ai do të shikojë e do të vëzhgojë. Basketbolli shqiptar është në hall për Pallatet e Sportit, impiantet në të cilën Kombëtarja shqiptare e të rriturave duhet të luajë kualifikueset e Kampionatit Evropian 2017. Siç dihet Shqipëria do të jetë përballë Italisë, Malit të Zi dhe Britanisë së Madhe, ndërsa ndeshjet nisin më 21 nëntor 2015, me vizitën në fushën e “Axurreve”.
Por Federata Shqiptare e Basketbollit deri më 20 shtator duhet të plotësojë formularin e kushteve të kërkuara nga FIBA, që lidhen me kapacitetin e Pallatit, ndriçimin, stolin e rezervave dhe largësia me spektatorët, dhomat e zhveshjes, me të gjitha kushtet e kërkuara. Jo vetëm kaq, por do të kërkohet tashmë dhe firma që ka prodhuar parketin e të tjera si këto. Nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, mësohet se më 21 gusht do të vijë i dërguari i Federatës Botërore të Basketbollit.
“Këtu nuk shtrohet më problemi i pjesëmarrjes së të rriturave, por se vitin e ardhshëm do të jenë në konkurrim dhe të rriturit, – ka thënë ai. – Dhe pjesëmarrja është e detyrueshme, sepse më pas marrim një dënim për të mos marrë pjesë në të gjitha nivelet deri më 2020. Do ta dërgojmë në “Asllan Rusi” dhe në Elbasan e më pas shpresojmë që të lejë detyra për t’u realizuar. Një refuzim i pjesëmarrjes sonë në këto kualifikuese, tanimë që është hedhur shorti, do të thotë një gjobë prej 90 mijë eurosh.”
“Ne i kemi bërë letër Kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit, – ka vijuar Llazani. – Shpresojmë që diçka të lëvizë, ndërsa ka mundësi që, nga pas Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, të paktën dhomat e zhveshjes të bëhen në mënyrë komode. Më pas tabelat elektronike ashtu sikurse kërkohen nga FIBA shpresojmë t’i marrim nga ndërkombëtaret. Por tashmë duhet të presim vizitën e të dërguarit të FIBA-s më 21 gusht.”
Nuk përjashtohet mundësia që kombëtarja e Shqipërisë në mungesë të infrastrukturës së kërkuar nga ndërkombëtarët ndeshjet e saj t’i luajë jashtë vendit. Sa për trajnerin e të rriturave shumë shpejt do të shpallen kandidaturat e më pas do të vendosë Komiteti Drejtues. Por ajo që mbetet është infrastruktura si “çengeli” që vazhdon të mbajë varur basketbollin shqiptar.