AlbanianSport.com 12.08.2015 23:10
ASNN – Sonte në mbrëmje, është luajtur në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet takimi i Superkupës së Shqipërisë për vitin 2015, që këtë edicion ka vënë përballë Skënderbeun dhe Laçin.
Përballja simbolike midis kampiones në fuqi dhe fitueses së Kupës së Shqipërisë, që shërbeu njëkohësisht për të ngritur zyrtarisht siparin e sezonit të ri futbollistik në vend, është luftuar nga fillimi deri në fund, pasi gjithçka është vendosur nga pika e bardhë e 11-metërshave.
Koha e rregullt e këtij takimi u mbyll në barazim 2-2, pasi dy golave të realizuar për Laçin nga afrikani Xhejms, nga një për secilën pjesën loje, u është përgjigjur Skënderbeu me dy gola të Hamdi Salihit.
Shkodrani ka realizuar në minutën e 66-të dhe në atë të 77-të dhe, minutat e mbetura të të kohës së rregullt, ashtu edhe dy pjesët shtesë nga 15 minuta secila nuk kanë sjellë gola të tjerë.
Kështu, gjithçka i drejtohet llogarisë së 11-metërshave, ku janë dashur plot 8 goditje nga secila skuadër që të vendosej fituesi dhe ai është Laçi, që tregohet më i saktë, duke u hakmarrë kështu për humbjen në Superkupë para dy vjetësh.