Gjergj Vyshka 12.08.2015 22:05
Urata Rama për Kosovën në qitje me pistoletë me pushkë ajër ka marrë 398.2 pikë, minimumi i mundshëm për t’u kualifikuar për në “Rio de Zhaneiro 2016”. Qitja shqiptare është pjesëmarrëse në Kupën e Botës, e cila është duke u zhvilluar në Gabala të Azerbajxhanit. Shqipëria përfaqësohet me Arben Kuçanën, Lumturi Pepën dhe Arben Cerinën. Por dita e djeshme ka qenë për t’u harruar.
Të paktën kështu ka konfirmuar presidenti i Federatës Shqiptare të Qitjes, Stefan Rufa, i cili ka treguar dhe rezultatet e Kuçanës dhe Pepës. Kështu Arben Kuçana në qitje me pistoletë zjarri ka marrë 513 pikë duke zënë vendin 98-të mes 105 pjesëmarrësve. Ndërkohë që, gjithnjë sipas informacionit të Rufës, Lumturi Pepa, në qitje me pushkë ajër, ka zënë vendin e fundit duke grumbulluar vetëm 386.5 pikë.
Në garën e saj kanë qenë 112 pjesëmarrës. “Kemi dhe dy gara në vazhdim, teksa Arben Kuçana dhe Arben Cerina do të marrin pjesë në qitje me pistoletë ajër”, – ka thënë presidenti Rufa. Në të njëjtën kohë i pari i qitjes shqiptare ka uruar kosovaren Urata Rama, e cila në qitje me pushkë ajër me 398.2 pikë ka marrë minimumin e pikëve për t’u kualifikuar për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.