AlbanianSport.com 12.08.2015 21:00
ASNN – Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, në një intervistë për gazetën italiane “Il Mattino”, ka thënë se fati i Shqipërisë për “Euro 2016”-n do të vendoset në dy ndeshjet e shtatorit. De Biazi thekson rëndësinë e dy sfidave të radhës. “Fati ynë do të vendoset në muajin shtator, – ka thënë ai për të përditshmen në fjalë. – Kemi dy pikë më pak se Portugalia kryesuese në grup, por duhet të luajmë një ndeshje më tepër.”
“Tashmë do të ndeshemi në fushë të huaj me Danimarkën, që ka po aq pikë sa Shqipëria dhe më pas luajmë pikërisht me portugezët”, – ka shtuar trajneri kuqezi, i cili është përqendruar më pas te Elseid Hysaj dhe aventura e re me Napolin. “Është një lojtar me shumë personalitet dhe e ka të qartë që te Napoli iu dha një shans i madh. Është lojtar dinamik dhe i shpejt.”
“Në Kombëtare debutoi në vitin 2013 në miqësoren me Norvegjinë, – rrëfen De Biazi. -Me ato 10 minuta aktivizim fitoi vendin e titullarit.” Për faktin nëse mbrojtësi shkodran është gati për një “piacë” të rëndësishme si Napoli, De Biazi nuk ka dyshime, teksa thotë: “Me afrimin e Hysajt, Napoli realizoi një goditje të madhe, pasi po flasim për një lojtar që përfaqëson të ardhmen e Shqipërisë”.
“Fakti që do të luajë në “San Paolo”, përpara shumë tifozëve, thjesht sa do ta stimulojë të paraqitet edhe më mirë”, – thekson 59-vjeçari. Në fund, drejtuesi i stolit të Shqipërisë e këshillon 21-vjeçarin që të qëndrojë me këmbë në tokë dhe të ruajë stilin e ekuilibruar të jetës. Danimarka, e cila është ndeshja e parë e radhës për pjesën e fundit të eliminatoreve në Kampionatin Evropian “Francë 2016” dhe që do të luhet në Kopenhagen më 4 shtator, do të përgatitet në Venecia.
De Biazi, trajneri i Kombëtare shqiptare mendon, se kështu i vjen më tepër në ndihmë lojtarëve që luajnë në Itali, apo në vende të tjerë afër saj. “Venecia edhe për arsye logjistike i vjen në ndihmë futbollistëve që luajnë në Itali, Zvicër e Gjermani. Për ta aeroporti i Venecias është një vend i përshtatshëm për udhëtim. E do të jemi në zonën e kodrës”, – ka përfunduar De Biazi.