AlbanianSport.com 12.08.2015 13:25
ASNN – Barcelona ka fituar Superkupën e Evropës dhe katalanët kanë triumfuar përballë fituese së Ligës së Evropës, Seviljes me rezultatin 5-4. Në të vërtetë u deshën shtesat dy herë nga 15 minuta pasi në 90 minuta rezultati ishte i barabartë 4-4.
Skuadra e trajnerit Luis Enrike ishte duke fituar me rezultat 4-1 deri 20 minuta para se të përfundonte koha e rregullt, por Sevilja arriti të barazonte në 4-4 nëntë minuta para përfundimit.
Por, në minutën e 115-të, Pedro përfiton nga një goditje e lirë e Lionel Mesit dhe shënon golin e pestë dhe të fitores për Barçën, duke i dhënë një tjetër trofe ndërkombëtar katalanëve.
E parë në epërsi kaloi Sevilja, që në minutën e 3-të, me Banegan, ndërsa Mesi, me golin e shënuar në të 7-tën dhe me atë të realizuar në të 16-tën, përmbysi rezultatin përmes dy gjuajtjeve të lira.
Para përfundimit të pjesës së parë, Barça shënoi edhe golin e tretë me Rafinjën. Me të filluar pjesa e dytë, Luis Suarez shënoi golin e katërt. Askush nuk e besonte se Sevijla deri në fund do të barazonte.
Por, Rejes, Gameiro dhe Konoplianka refuzuan të dorëzoheshin duke arritur barazimin në 90 minuta.