AlbanianSport.com 12.08.2015 09:35
Trajneri i Lacios, Stefano Pioli ka lënë Lorik Canën jashtë listës së futbollistëve që do të ketë të disponueshëm për veprimtaritë evropiane. Sipas rregullores, Lacio ka dorëzuar në UEFA, listën e lojtarëve që do të mund të ketë të gatshëm për udhëtimin në Ligën e Kampioneve, që nis nga “play-off”-i me sfidat kundër Bajer Leverkusenit. Por, në listën me 25 futbollistë që është dorëzuar, nuk figuron emri i kapitenit të Kombëtares shqiptare.
Madje siç bëjnë të ditur mediat italiane, Cana nuk figuron as në listën UEFA B që përpilohet për t’u paraprirë situatave të ndryshme që mund të krijohen përgjatë sezonit, kështu që në sezonin e ri nuk do të mund të aktivizohet me Lacion në ndeshjen ndërkombëtare. Lajmi vjen vetëm pak kohë pasi kishte fituar terren ideja e Canës për të qëndruar edhe për një vit te Lacio, qëndrim i përforcuar edhe nga dëshira e vetë lojtarit për të qenë pranë Shqipërisë në rrugën e saj vendimtare për kualifikimin në “Euro 2016”.
Në informacionet e publikuara dy ditë më parë, theksohej se Cana ka vendosur të respektojë deri në fund marrëveshjen me klubin e Serisë A italiane, edhe pse pak ditë më parë divorci dukej përfundimtar. Me transferimin në Katar, që nuk u realizua dhe venitjen e pistave në Bundesligën gjermane, u tha se mbrojtësi kuqezi do të qëndrojë me ekipin e kryeqytetit italian. Mesa duket 32-vjeçari ka diskutuar për këtë pjesë edhe me drejtuesit e klubit.
Vendimi i Lorik Canës që të mbetet te Lacio duket se ka ardhur për dy arsye të rëndësishme. Së pari mbrojtësi do të ketë mundësi që gjatë edicionit të ardhshëm të sigurojë minuta në fushë, pasi ekipi luan në tre veprimtari, ku më e rëndësishmja pritet të jetë Liga e Kampioneve. Gjithashtu lojtari ka nevojë për një skuadër cilësore ku të stërvitet, edhe në kuadër të ndeshjeve vendimtare me ekipin përfaqësues, kundër Danimarkës dhe Portugalisë.
Pas të gjithave këtyre, vjen lajmi që trajneri Pioli nuk e ka pranuar Canën në ndeshjen kundër Bajer Leverkusenit. Megjithatë merkatoja vazhdon ende, ndaj mund të kemi edhe ndonjë surprizë për largim të tij nga Lacio.