AlbanianSport.com 11.08.2015 21:20
ASNN – Një gjyqtar suedez ka hapur një faqe në rrjetin social “Facebook” vetëm që të mund të bisedojë me njerëzit për vendimet e tij pas ndeshjeve të futbollit. Mohamed Al-Hakimi, njëri ndër gjyqtarët më premtues në ligën superiore suedeze, ka hapur faqen e tij gjatë këtij muaji në mënyrë që të marrë mendime të ndryshme për vendimet e tij në fushën e lojës, raporton e përditshmja e mirënjohur britanike “The Guardian”.
Ai së fundmi kishte paraqitur rastin për ndeshjen midis IFK Norrkopingut dhe AIK Solnas, ndeshje për të cilën kishte thënë se duhet të kishte akorduar një 11-metërsh. “Besoj në sinqeritet dhe dialog, – ka thënë Al-Hakimi për median vendase në Internet, “Fotbollskanalen”. – Qëllimi im kryesor është që të krijoj interesim të gjerë për profesionin tonë.”
“Dhe besoj se familja e futbollit mund të përfitojë shumë nëse hyhet më tepër në detaje dhe kuptohen më shumë vendimet e gjyqtarëve”, – ka shtuar ai, duke shtuar: “Gjithashtu dua që faqja të frymëzojë njerëzit që të bëhen gjyqtarë, që është pjesë shumë e rëndësishme e futbollit. Dua të tregoj pjesën time të gjykimit në mënyrë që të balancojë imazhin tonë të përgjithshëm që është në media.”