AlbanianSport.com 11.08.2015 19:50
ASNN – Trajneri i matjanëve, Vladimir Gjoni, e sheh Burrelin në fund të sezonit të ardhshëm pretendent për Kategorinë Superiore. Këtë ai e bazon në cilësinë e lojtarëve që kërkojnë të veshin bluzën e Burrelit, vëmendjen e Bashkisë dhe punën korrekte të stafit drejtues të klubit të futbollit. “Të hënën presim konfirmime të reja lojtarësh”, – ka deklaruar ai për mediat sportive të ditës.
“Kemi rënë dakord me sulmuesin Ajazi që të luajë me ekipin tonë dhe jemi në negociata me një portier të mirë dhe ndoshta shumë shpejt dy ish-lojtarë të Tërbunit të Pukës do të luajnë me ekipin tonë”, – ka shtuar Gjoni, i cili shkon më tej kur thotë se dy brazilianë kanë shprehur dëshirën e tyre të testohen pranë Burrelit dhe, nëse janë të aftë, do të federohen me ekipin matjan.
“Kam besim të plotë se me lojtarët autoktonë dhe ato që do të vijnë nga ekipet e tjera, shqiptarë, apo të huaj, do të mundësojmë formatimin e një skuadre të fortë dhe pretendente për një kategori më lart”, – thekson trajneri matjan. Kërkesa kryesore që Gjoni u drejton pushtetit vendor dhe drejtuesve të klubit është gjetja e mundësive financiare që ekipi të stërvitet të paktën 10 ditë në pikën turistike të Qafë-Shtamës.