Gjergj Vyshka 11.08.2015 19:05
Dita e djeshme në Kampionatin Evropian të Boksit Amator në Samokov të Bullgarisë ka qenë e zezë për shqiptarët. Janë eliminuar Krenar Zeneli, Astmer Bilali dhe Kristian Demaj e tashmë shansi i vetëm për medalje ka mbetur Albi Sorra.
Në peshën 56 kg Krenar Zeneli është mundur nga britaniku Kais Ashfaku 0-3. Të tria raundet, të paktën edhe sipas vendimit të gjyqtarëve të tavolinës, i ka humbur me rezultatin 26-30.
Pas tij, tashmë në peshën 75 kg, ka humbur dhe Astmer Bilali, i cili ka pasur përballë holandezin Maks Van Der Pas. Një humbje e thellë për shkodranin, ndërsa i ka humbur raundet 25-30, 25-30, 24-30.
Dhe në mbrëmje, po 0-3, është mundur në peshën 91 kg edhe Kristian Demaj. Të tria raundet i ka humbur 25-30. Kësisoj nga një shpresë e madhe për medalje, tashmë kemi mbetur vetëm në duart e Albi Sorrës.
Sepse të tjerët, përtej përgatitjeve, i janë bashkuar realitetit shqiptar që nuk jep asgjë në arenën ndërkombëtare. E kjo si në Evropë, ashtu dhe në botë.