AlbanianSport.com 11.08.2015 15:20
ASNN – Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka quajtur të paligjshme Asamblenë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Mundjes, të mbajtur kohët e fundit dhe për rrjedhojë ka bllokuar fondin e saj financiar. Lidhur me këtë bllokim, ka reaguar sot Federata Shqiptare e Mundjes, nëpërmjet një prononcimi për shtyp të Presidentit të saj, Martin Biba. Fjalëve të kreut të mundjes shqiptare u ka bërë jehonë edhe mundësi i mirënjohur, Sahit Prizreni.
Bllokimi i fondit ka ardhur nga fakti që Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka quajtur të paligjshme Asamblenë Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Mundjes, të mbajtur kohët e fundit. Mosnjohja e organeve të reja drejtuese dhe mosmiratimi i fondit Grant nga Ministria e Sporteve për Federatën e Mundjes, përveçse rrezikon pjesëmarrjen e Shqipërisë në Botërorin e shtatorit në SHBA, rrezikon edhe përjashtimin pa afat të federatës shqiptare nga çdo veprimtari ndërkombëtar.
“Është një urdhër që pengon pjesëmarrjen e federatës sonë në veprimtaritë kryesore, – deklaroi presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba. – Këto janë veprimtari, pjesëmarrja në të cilat është planifikuar dhe miratuar nga vetë zonja Nikolla.” Zgjedhjet e zhvilluara në fund të majit janë njohur nga ndërkombëtarët, ndërkohë që presidenti Biba pohon se nuk do të lejojë dhunimin e pavarësisë së kësaj federate sportive.
“Është një masë administrative që është marrë pa u dëgjuar fare Federata jonë, – ka sqaruar ai. – Ky urdhër e bën inekzistent federatën nga ana financiare. E kemi ankimuar në Gjykatën e Apelit Administrativ. Vendimet që merren natën nuk i shërbejnë sportit.” ish-mundësi dhe tashmë trajneri Sahit Prizreni thotë: “Më keq se kaq, nuk ka ku të shkojë. I bëj thirrje Ministres që të lejojë mundjen të vazhdojë rrugën e saj sepse mundja është e mundësve.”
“Ne jemi këtu për të treguar që nuk do të lejojmë askënd të tallet me ne”, – theksoi ai. Presidenti Biba në fund shtoi se pavarësisht pengesave të Ministrisë së Sporteve, Federata e Mundjes do të bëjë të pamundurën që të përfaqësohet me 3 mundës në Botërorin e Amerikës, një aktivitet kualifikues për Lojrat Olimpike “Brazil 2016”. Sportistët të cilët pritet të marrin pjesë në Botëror do të jenë 3 kampionët Islam Islamaj, Vilson Ndregjoni dhe Egzon Shala, i cili po stërvitet për këtë veprimtari në Bullgari.