AlbanianSport.com 10.08.2015 22:50
ASNN – Vetëm pak ditë më parë, mediat kosovare raportonin gafën e Hashim Thaçit kur shkruante shkruar për pjesëmarrjen e Rita Zeqirit në Botërorin e Notit. Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, shkruante në profilin e tij në rrjetin social, “Facebook”, se Rita Zeqiri ka bërë sensacion duke fituar medaljen e artë në Rusi.
Por, në të vërtetë, mbase i mashtruar nga një foto e baterisë së saj eliminatore, ku Zeqiri u rendit e para, por në realitet e mbylli vetëm në vendin e 59-të nga 66 garuese, në disiplinën 50 metra “delfin”. Zeqiri pati kohë prej 32.12 sekondash, që ishte 6.69 sekonda më e dobët se koha e arritur më e mirë në kualifikime
“Jemi shteti më i ri në Evropë, por me sportistë fantastikë, – shkruante Thaçi në “Facebook”. – Edhe notarja e re Rita Zeqiri bëri sensacion dhe fitoi garën e 50 metrave në botërorin e notit në Kazan të Rusisë, duke thyer njëherësh edhe rekordin e Kosovës të vendosur nga vet ajo. Një triumf i jashtëzakonshëm i Ritës. HTH”.
Në fakt, ky episod është vetëm i radhës përsa u përket politikanëve shqiptarë, këndej e andej kufirit, për ta shfrytëzuar për kapitalin e tyre politik, suksesin e të tjerëve, sidomos sportistëve. Pa patur nevojë për këshilltarë e pa patur nevojë të sigurohen për faktet, sepse ata, afërmendsh, janë të pagabueshëm, ata na dhurojnë gafa të tilla që më shumë se për të qeshur, na bëjnë për të qarë.