AlbanianSport.com 10.08.2015 21:20
ASNN – Debatik Curri është dëmtuar rëndë në stërvitjen e fundit në Slloveni. Qendërmbrojtësi i transferuar këtë verë në Vlorë, Debatik Curri i konsideruar një ndër afrimet më cilësore të Flamurtarit, ka thyer këmbën në stërvitje. Ka qenë një përplasje me Telushin, që ka rezultuar fatale për Currin, i cili është me të vërtetë i pafat, sepse ka pasur probleme fizike edhe sezonet e shkuar. Megjithatë, dëmtimi i fundit është me të vërtetë një goditje e rëndë, për të dhe Flamurtarin.
Tani Curri pret përgjigjen e operacionit urgjent në Turqi dhe pritet të mungoj nga 3 deri në 6 muaj. Po ashtu dëmtimi i Currit është edhe një humbje për Kombëtaren, në prag të ndeshjeve mjaft të rëndësishme për të, me Danimarkën dhe Portugalinë. Kështu, sipas të gjitha gjasave, mbrojtësi i Flamurtarit do të qëndrojë rreth 6 muaj jashtë fushës së blertë. 31-vjeçari është dëmtuar pas një përplasjeje në lojë me Telushin dhe stafi mjekësor ka konstatuar thyerjen e kockës së kërcirit poshtë gjurit.
Në këtë mënyrë mbrojtësi e ka të domosdoshme ndërhyrjen kirurgjikale. Në këtë mënyrë Curri i cili firmosi këtë verë me Flamurtarin pritet të humbasë gjysmën e sezonit të ri. Lajmi është një goditje për planet e trajnerit Stanislav Levi, por akoma dhe më i rëndë në aspektin personal për Currin i cili ka patur një karrierë të kushtëzuar nga dëmtime afatgjata edhe gjatë periudhës kur luante në Turqi me Gençlerbiriglinë, si dhe më pas në kampionatin ukrainas. Futbollisti 31-vjeçar ka luajtur mbi 40 ndeshje me kombëtaren shqiptare.