AlbanianSport.com 10.08.2015 19:05
ASNN – Mesfushori lushnjar: “Jemi të vonuar në përgatitjet tona, por nëse afrohet ndonjë sponsor të jeni të sigurt se ia dalim të jemi në Superiore”. Lajmi për afrimin e një biznesmeni pranë ekipit verdhjeshil të futbollit ka ngritur ndjeshëm optimizmin e tifozërisë lushnjare, pasi, nëse ky fakt bëhet realitet, atëherë shihet si e mundshme ngjitja e Lushnjës në Kategorinë Superiore, atje ku vitin e kaluar u dogj pikërisht në ndeshjen e fundit “Roza Haxhiu”, teksa u mund nga Bylisi.
Ky lajm është pritur me optimizëm edhe nga vetë futbollistët lushnjarë që kanë vendosur t’i qëndrojnë besnik ekipit të vendlindjes. Njëri prej tyre, mesfushori i krahut të majtë në formacionin verdhejeshil, Klevis Gjoni, ka deklaruar: “Unë bëj pjesë tek ai grup futbollistësh që kam vendosur të mos largohem nga ekipi “mëmë”. Në sezonin e kaluar shpenzuam energji jashtë mundësive tona dhe nuk arritëm të ngjiteshim në Superiore.”
“Pa dyshim që me atë trajtim financiar, që merrnim nga Bashkia, unë e konsideroj si mjaft pozitiv ecurinë tonë, pavarësisht se nuk arritëm objektivin final atë të ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar, – ka vijuar ai. – Lushnja ka vite që trajtohet financiarisht vetëm me të ardhurat e Bashkisë. Përpjekjet që po bëhen për afrimin e një sponsori të konsoliduar financiarisht unë e shoh si një erë të re, që do të ndryshojë paraqitjen e zbehur të ekipit tonë në këto 7 vitet e fundit.”