AlbanianSport.com 10.08.2015 15:20
ASNN – Tifozët e Tiranës e mbajnë mend shumë mirë për atë gol dhe me siguri duhet të jenë shumë të gëzuar me kthimin në skuadër të Zhilberto Fortunatos, pasi braziliani u dhuroi fitoren e fundit ndaj Partizanit. Një sezon pasi u largua, sulmuesi do ta veshë sërish fanellën bardheblu.
“Unë nuk e di pse Tirana nuk ka fituar asnjë derbi që kur kam ikur unë, – ka pohuar ai për mediat pas prezantimit në rikthimin tek bardheblutë. – Natyrisht, kam ardhur tek Tirana edhe për të fituar derbin me Partizanin. Ndoshta, u vonuam pak për zyrtarizimin, pasi kisha disa mundësi të tjera jashtë Shqipërisë dhe prandaj erdha vetëm në gusht.”
“Jam i bindur se gjithçka do të shkojë mirë”, – shton Zhilberto, i cili shprehet gjithashtu i kënaqur që do të jetë sërish përpara tifozëve, po ashtu premton më shumë gola. “Tifozët i mbaj mend shumë mirë, pasi ishin të mrekullueshëm, – pohon ai. – Tirana ishte në një moment delikat dhe mbështetja e tyre ishte vendimtare.”
“Besoj se do të jetë përsëri kështu, – ka premtuar braziliani. – Sa për vete shpresoj të shënoj më shumë se 10 gola këtë edicion.” Tiranës i janë larguar disa lojtarë këtë verë, mes të cilëve sulmuesit Elis Bakaj, Ndikumana dhe Mario Morina, ndaj edhe ardhja e Zhilberto Fortunatos ishte e domosdoshme për skuadrën e trajnerit Shkëlqim Muça.