AlbanianSport.com 10.08.2015 09:20
ASNN – Pukjanët e nisin me këmbë të mbarë sezonin në “Ismail Xhemali”, ndërsa kanë dhe një ndeshje miqësore me Partizanin në prag të fillimit të kampionatit. Ajo që duhet theksuar është fakti se të pranishëm në Stadiumin “Ismail Xhemali” kanë qenë të pranishëm 200 shikues e bashkë me ta dhe kryetari i ri i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjoni.
Në përfundim të ndeshjes me Internacionalin, për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, Nikaj do të deklaronte se ishte i pakënaqur me lojtarët e stolit, të cilët i ka aktivizuar në 45 minutat e para. “Në pjesën e parë pikërisht këta futbollistë nuk më bindën”, – ka theksuar ai. – E kjo përveç brazilianit Adriano, i cili shënoi gol në pjesën e parë.”
“Në fakt prisja më tepër nga disa futbollistë pukjan, të cilët kanë ardhur nga Shkolla e mesme e futbollit “Loro Boriçi”, – ka vijuar kreu i ri i stolit pukjan. – Pjesën e dytë luajtën titullarët dhe fituam 3-0. Tashmë kemi dhe një ndeshje miqësore në Tiranë me Partizanin e më pas do të stërvitemi për kampionat”. Po për “Sport Ekspres” ka folur dhe trajneri i Internacionalit, Agim Bedini.
“Në përgjithësi jam i kënaqur me skuadrën, – do të theksonte ai. – I falënderoj drejtuesit e Tërbunit për mikpritje dhe skuadrës pukjane i uroj suksese në Kategorinë Superiore në sezonin e ri”. Tashmë edhe stadiumi “Ismail Xhemali” ka marrë një tjetër pamje pas rikonstruksionit, ndërsa synohet që të jetë gati për fillimin e kampionatit më 22 gusht 2015.