Gjergj Vyshka 10.08.2015 07:50
ASNN – Shqipëria e Nën-18-vjeçarëve në basketboll për të reja e ka mbyllur me humbje pjesëmarrjen e saj në Divizionin B të Kampionatit Evropian, që i luajti ndeshjet në Bukuresht. Ndryshe nga ndeshjet e tjera, në këtë përballje me Islandën ka ardhur humbja më minimale, që është me 20 pikë diferencë.
Pjesa e parë është e ekuilibruar dhe me dëshirën e mirë të të dy skuadrave për t’u shkëputur. 13-13 është rezultati i këtij 10-minutëshi. Edhe në të dytin, vajzat kuqezi luajnë mirë. Madje për herë të parë në këtë pjesëmarrje kanë fituar 12-11 dhe kanë shkuar në dhomat e zhveshjes me epërsinë e ngushtë 25-24.
Por vetëm kaq, sepse Islanda nuk ka lëshuar më. Ka fituar 18-24 dhe 7-22 dhe në fund ka fiksuar rezultatin 50-70. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes për Shqipërinë ishte Dishnica me 21 pikë. Tashmë do të jetë radha e Shqipërisë Nën-16-vjeçarëve për vajza që do të marrë pjesë në Divizionin B të Kampionatit Evropian, që do të zhvillohet në Ohër e Strugë.