AlbanianSport.com 10.08.2015 07:05
ASNN – Sopoti zbret sot në fushën e stërvitjes, ndërsa do të nisë përgatitjet për sezonin e ri, i cili nis më 12 shtator. Paradoksi është se librazhdasit nuk i nisin stërvitjet në qytetin e tyre, por në ish-kompleksin “Dinamo”, atje ku dhe sezonin e kaluar kanë qenë pjesë me përgatitjet e tyre. Në krye të Sopotit do të jetë një tjetër trajner dhe bëhet fjalë për vlonjatin Ardian Bozhani, i cili zuri vendin e ish-trajnerit Edmond Dalipi, i cili e drejtoi skuadrën librazhdase vetëm në pak takime në fund të sezonit.
Ardhja e Bozhanit, si i pari i stolit vjollcë, pritet të sjellë një erë të re tek Sopoti, i cili edhe këtë kampionat që vjen do të kërkojë të ngjitet në Kategorinë Superiore. Sot pritet që të jenë gati 15 lojtarë nga skuadra e sezonit të kaluar, të cilët do të vazhdojnë të jenë përsëri pjesë e Sopotit edhe këtë sezon të ri. Tre janë lojtarët, që janë larguar nga ky ekip, ndërsa janë lënë të lirë nga drejtuesit, të cilët më parë janë konsultuar dhe me trajnerin e ri Bozhani.
Ky i fundit do të ketë sot ditën e parë të punës nëse mundë të quhet kështu dhe do të fillojë menjëherë testimin e të gjithë futbollistëve, që do të jenë prezent në këto përgatitje. Pra do të jenë gati 10 ditë fazë testuese, të cilat kanë për qëllim për të parë më mirë elementët e ri, por dhe ata që janë pjesë e Sopotit. Shumë lojtarë të rinj dhe cilësorë pritet të vijnë nesër për t’u testuar tek Sopoti. Pas fazës testuese, që nuk do të zgjesi më shumë se 10 ditë, do të përzgjidhet skuadra e re e Sopotit, e cila do të niset për fazën përgatitore në Pogradec, ose në Maqedoni.