AlbanianSport.com 09.08.2015 23:40
ASNN – Kampionati Botëror i Notit, i cili u zhvillua në kryeqytetin e republikës gjysmë-autonome ruse të Tataristanit, Kazan, ka ulur sonte siparin me ceremoninë e mbylljes. Sikundër të gjitha garat kryesore të këtij evenimenti madhor të sporteve të ujit, edhe kjo ceremoni u soll për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Sipas asaj që theksoi edhe gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp Presidenti i Federatës Botërore të Notit, Xhulio Maljone, “në këtë kampionat spikatën paraqitje të shkëlqyera në 6 disiplina, duke çuar në thyerjen e 7 rekordeve të kampionatit dhe 12 rekordeve botërore”. Në këtë kampionat mori pjesë edhe Shqipëria, katër notarë, të cilët ishin Noel Borshi, Nikol Merizaj, Sidni Hoxha dhe Klavio Meçe.
Pavarsisht paraqitjes së tyre modeste në nivel botëror, ata vendosën rekorde të reja kombëtare në disiplinat ku konkurruan. Midis tyre spikati Sidni Hoxha, i cili në 50 metra stil i lirë, në renditjen e përgjithshme mes 120 notarëve është klasifikuar i 35-ti, duke qenë në kufijtë e normës së kualifikimit për në Olimpiadën “Rio 2016”. Më tepër medalje në këtë kampionat, plot 35, i fitoi Kina.
Ajo mori më konkretisht 15 të arta, 10 të argjendta dhe 10 të bronzta. Në vendin e dytë u renditën Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 33 medalje, të ndjekura nga Rusia, që ishte mjaft prapa me vetëm 17 medalje, por për shkak të numrit më të madh të medaljeve të arta, i mori vendin e 3-të Australisë, që në total mori 18 medalje. Pesëshen e parë e plotësoi Britania e Madhe, me 14 medalje.