AlbanianSport.com 09.08.2015 19:55
ASNN – E ardhmja e Hamdi Salihit duket se shtrihet në aksin “Korçë-Tel Aviv”. Kjo për arsye se mediat izraelite shkruajnë se shkodrani ka arritur një marrëveshje me klubin e Makabit të Netanjas. Por kjo marrëveshje është e kushtëzuar nga ecuria e Skënderbeut në “play-off”-in e Ligën e së Kampioneve. Ai është padyshim njeriu i momentit dhe për këtë arsye po lufton të marrë maksimumin nga kjo.
I ardhur vetëm për ndeshjet e Skënderbeut në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve, Hamdi Salihi është shndërruar në lojtarin kyç të korçarëve, duke i ndihmuar ata drejt vendit në “play-off”-in e veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit. Ndërkohë, sulmuesi shkodrani e ka sidoqoftë një pistë të hapur për t’u rikthyer në Izrael.
Kanë qenë mediat izraelite ato që kanë zbardhur bisedimet e sulmuesit shkodran me klubin e Makabit të Netanjas. Sipas tyre, lojtari kishte arritur një akord paraprak për një shifër prej afro 15 mijë eurosh në muaj me ekip, por, kohët e fundit, ai ka kërkuar të ndryshojnë kushtet. Kjo lidhet pikërisht me ecurinë e Skënderbeut në Ligën e Kampioneve dhe faktit që i garantohet mundësia për të luajtur minimalisht në grupet e Ligës së Evropës.
Gjithashtu, klubi korçar është i aftë t’i paguajë edhe një rrogë të majme futbollistit të Kombëtares së Shqipërisë. Sipas mediave izraelite, menaxheri i Salihit ka telefonuar klubin e Makabi Netanja, duke i njoftuar se nuk pranon nëse paga nuk kap shifrën e 18 mijë eurove në muaj. Në rast se do pranonte të transferohej, ky do ishte klubi i tretë që 31-vjeçari do luante në kampionatin izraelit, pas Hapelit të Akrës dhe Hapoelit të Haifas.