AlbanianSport.com 09.08.2015 08:40
ASNN – Menjëherë pasi është hedhur shorti, i cili vendosi përballë Dinamos së Zagrebit kampionët e Shqipërisë, Skënderbeun, mediat kroate kanë bërë parashikimet e tyre në lidhje me këtë sfidë. Televizioni HRT thekson se Skënderbeu është një nga skuadrat më të suksesshme të futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit. Më tej, ky televizion vë theksin se korçarët janë themeluar 106 vjet më parë, duke bërë edhe një përshkrim të strukturave drejtuese dhe ecurisë së klubit gjatë këtij sezoni në Ligën e Kampioneve.
E përditshmja “Veçernji” thekson se Dinamo e Zagrebit peshkoi kundërshtarët më të lehtë në letër dhe ka një mundësi të artë për të siguruar kualifikimin në fazën e grupeve që do të mbushë arkat e njërës prej skuadrave me plot 12 milionë Euro. “Avantazhi i Dinamos është se deri tani ka luajtur 5 ndeshje në kampionat dhe është më përpara me përgatitjet fizike, ndërsa në Shqipëri sezoni nuk ka filluar ende”, – shkruan e përditshmja në fjalë.
“Gjithsesi, Dinamo nuk duhet ta nënvlerësojë Skënderbeun pasi është një skuadër që ka dominuar në Shqipëri gjatë 5 sezoneve të fundit dhe do ta luajë ndeshjen e parë në një impiant me 12 mijë të pranishëm”, – shton gazeta kroate në fjalë. E përditshmja tjetër, “Jutarnji List” nënvizon se kjo është hera e parë që një skuadër shqiptare bën një rrugë kaq të gjatë në Evropë dhe shton se pika më e fortë në grupin e bardhekuqve është kapiteni Blendi Shkëmbi.