Marrë nga “Top Channel” 08.08.2015 21:15
Alban Dorzi, një i ri shqiptar që përveç titujve në Gjermani, është shpallur së fundmi edhe “kampion bote” për amatorë në versionin “ISKA” në sportin e “kik-boks”-it, dëshirën për t’u marrë me sport e ka marrë nga i ati, i cili vite më parë ka ushtruar sportin e mundjes. “Babai im ka qenë mundës në Shqipëri, – thotë Albani, duke folur për “Top Channel”.
“E kam pasur që i vogël dëshirën që të merresha me boks dhe nga boksi kalova te “kik-boks”-i”, – ka vijuar ai. Pavarësisht se nuk ka asnjë mbështetje, falë vullnetit dhe punës intensive me trajnerin e tij, Mehdi Pestisha, 24-vjeçari Dorzi ka arritur të bëjë karrierë në vendin ku ai ka lindur dhe vazhdon të jetojë. “Stërvitem dy herë në ditë, vrap dhe në mbrëmje stërvitje me trajnerin tim, Mehdi Pestisha, – rrëfen ai.
“4 herë jam shpallur “kampion” i Gjermanisë dhe “kampion bote” për amatorë dhe pastaj kam kaluar profesionist, – vijon i riu. – Jam “kampion” i Gjermanisë dhe së fundmi u shpalla edhe “kampion Evrope. Ëndrra ime është të shpallem “kampion bote” si profesionist.”
Ndërkohë që Gjermania krenohet me të sepse ka një “kampion” në “kik-boks, në Shqipëri Albani njihet shumë pak. Madje edhe Federata Shqiptare e këtij sporti nuk ka denjuar ta ftojë atë të garojë nën flamurin tonë kombëtar. “Deri më tani jo. Po më pranuan, do të bëj garë për Shqipërinë, edhe po nuk më pranuan, prapë për Shqipërinë do të bëj sepse jam shqiptar”, – përfundon Albani Dorzi.