AlbanianSport.com 07.08.2015 23:05
ASNN – Në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik, në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet u zhvillua një turne me skuadra, e më konkretisht me Partizanin, Teutën dhe ekipin italian të Frosinones, që, për herë të parë në histori, është ngjitur në nivelin më të lartë të futbollit italian, në Serinë A.
Këto ndeshje u zhvilluan me sistem grupi dhe secila zgjati vetëm një pjesë loje, pra 45 minuta. Në takimin e parë, Teuta dhe Frosinone e mbyllën me rrjeta të paprekura përballjen midis tyre, ndërsa nga pika e bardhë e 11-metërshave u treguan më të saktë italianët, që fituan me shifrat 5-4.
Pa gola është mbyllur edhe takimi i dytë, ai midis Partizanit dhe Teutës dhe të kuqtë kryeqytetas janë ata që fitojnë lotarinë e 11-metërshave, me shifrat 5-4. Kjo ka bërë që ndeshja e 3-të, ajo midis Partizanit dhe Frosinones të shërbejë si një finale dhe skuadra kryeqytetase ka fituar me rezultatin 1-0, me gol të Raçiçit.
Kështu, Partizani është shpallur fitues i turneut “Kupa Egnatia” dhe emocionet kësaj veprimtarie u përcollën për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.