AlbanianSport.com 07.08.2015 19:45
ASNN – Kombëtarja shqiptare e Nën-18-vjeçareve në basketboll për femra është rikthyer në parket sot për të luajtur ndeshjen e radhës në kuadër të Divizionit B të Evropianit të kësaj grupmoshe, që po i zhvillon ndeshjet në Pallatin e Sportit “Dinamo Arena” të kryeqytetit të Rumanisë, Bukuresht.
Kjo ndeshje ishte e vlefshme për renditjen përfundimtare nga vendi i 17-të në të 20-tin dhe, teksa niveli i kundërshtareve ka nisur të bjerë, niveli i vajzave kuqezi, të udhëhequra nga trajneri Viron Toska ka nisur të rritur dhe ndeshja e sotme me Qipron ishte edhe takimi ku Shqipëria shënoi më tepër pikë.
Nën-18-vjeçaret kuqezi u mundën 57-84, një rezultat ky mjaft më i respektueshëm sesa ato 21-100 me Bjellorusinë, 31-102 me Turqinë, 21-106 me Suedinë dhe 22-95 me Zvicrën në grup, apo 47-78 me Irlandën në fazën e takimeve për renditjen përfundimtare. Madje vajzat kuqezi e kanë nisur mjaft mirë takimin e sotëm.
Ato e kanë fituar 10-minutën e parë 14-7, por qipriotet janë kundërpërgjigjur fort në atë të dytin, duke e fituar atë thellësisht 26-8 dhe duke shkuar në pushim të ndeshjes në epërsi 33-22. Në dy pjesët e tjera, pavarësisht përpjekjeve të vajzave kuqezi, qipriotet administrojnë rezultatin, duke i fituar këto dy 10-minutësha përkatësisht 30-17 e 21-18.
Shqipëria mundet 57-84, ndërsa shënueset më të mira për Nën-18-vjeçaret kuqezi ishin Xhori, me 16 pikë, K. Hasanaj me 14 dhe Jaçe me 11 pikë. Takimin e fundit në kuadër të Divizionit B të Evropianit të kësaj grupmoshe, Kombëtarja shqiptare e Nën-18-vjeçareve në basketboll për femra do ta luajë më 9 gusht përballë Islandës.