AlbanianSport.com 07.08.2015 10:35
ASNN – Federata Shqiptare ka shprehur sot shqetësimin e saj për pengesat e fundit të krijuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në lidhje me plotësimin e procedurave për pajisjen me pasaportë të nëntë futbollistëve dhe futbollisteve me origjinë nga Kosova, kandidatë të ekipeve kombëtare Nën-17, Nën-21 dhe ekipit kombëtar të femrave dhe atij të Nën-19-vjeçareve. Zëvendës-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Besnik Çela ka dalë përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp në lidhje me këtë shqetësim të krijuar kohët e fundit.
“Jam para jush për t’ju bërë me dije ju dhe opinionit sportive për dy shkresa që kanë ardhur në Federatën Shqiptare të Futbollit, në të cilat refuzohet fillimi i procedurave për pajisjen me nënshtetësinë shqiptare, të nëntë lojtarëve me origjinë nga Kosova”, – ka theksuar duke folur në mjediset e FSHF-së. Më pas, Çela ka treguar për projektin afatgjatë që ka aplikuar FSHF për afrimin në ekipet kombëtare të futbollistëve të talentuar me origjinë nga Kosova.
Një projekt, i cili, sipas tij, ka ndikuar në rritjen e cilësisë sportive dhe afrimin e mjaft talenteve, që tashmë për të luajtur zgjedhin Shqipërinë dhe jo vende të tjera si Zvicra, Austria etj. Më pas, ai ka vlerësuar bashkëpunimin dhe mbështetjen që kanë dhënë deri më tani në këtë proces , institucionet e Presidentit të Republikës, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit Informativ Kombëtar. “Kjo punë shumëvjeçare ka dhënë frytet e saj, në arritjen e rezultateve historike siç është ngjitja në vendin e 22-të e Shqipërisë në renditjen e FIFA-s”, – tha ai.
“Vendi që Shqipëria mban në Grupin Eliminator dhe pretendimet serioze që sot kemi për të arritur një kualifikim, që do të ishte realizimi i ëndrrës të të gjithë shqiptarëve. Pjesëmarrja tepër e suksesshme e Skënderbeut, në Ligën e Kampioneve. Dhe pikërisht në këtë moment shumë të rëndësishëm për futbollin shqiptar vjen ky refuzim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, – theksoi Besnik Çela, në përmbledhjen e tij.
Më pas, ai i bëri thirrje dikasterit të sportit dhe në veçanti Ministres Lindita Nikolla, që të rishikojë qëndrimin e saj për këtë çështje dhe të fillojë proçedurat për pajisjen e këtyre lojtarëve me nënshtetësi shqiptare. “Është në interesin e futbollit shqiptar dhe zhvillimit të tij, që talentet e spikatur që luajnë në Europë të afrohen në ekipet tona kombëtare për të ndikuar sa më shumë në rritjen e cilësisë sportive dhe të imazhit e tyre në botë”, -përfundoi Çela.