AlbanianSport.com 06.08.2015 22:55
ASNN – Kukësi ka luajtur sonte ndeshjen e kthimit të turit të 3-të eliminator të Ligës së Evropës, duke u përballur në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, me Legian vendase. Kukësi kishte një detyrë mjaft të vështirë, kapërcimin e situatës së krijuar nga ndeshja e parë dhe përmbysjen e humbjes 0-3, çka nënkupton se verilindorët do të kualifikoheshin vetëm në rast të një fitoreje me të paktën 4 gola diferencë.
Por kjo nuk ka ndodhur, pasi Kukësi është mundur edhe në ndeshjen e kthimit, me shifrat 0-1, duke i dhënë lamtumirën aventurës së tyre kontinentale. Goli i vetëm i polakëve u shënua nga Kuçarçik, dy minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Siç dihet, Komisioni i Disiplinës i UEFA-s pati vendosur përsa i përket ndeshjes së parë, të ndërprerë me Legian e Varshavës në Tiranë.
Sipas vendimit të organizmit që qeveris futbollin kontinental, Kukësi është ndëshkuar me humbjen 0-3 në tavolinë të ndeshjes. Përsa i përket sjelljes së tifozëve, ku një lojtar polak u godit në kokë nga objekte të forta, çka çoi në ndërprerjen dhe, më pas, pezullimin e ndeshjes, Kukësi është ndëshkuar me 70 mijë euro gjobë si dhe do t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme në fushën e vet në Kupat e Evropës, pa tifozë.