AlbanianSport.com 06.08.2015 20:25
ASNN – Skënderbeu nuk njeh limite, thyen tabunë duke u bërë i pari ekip shqiptar që kualifikohet në fazën e “play-off”-it të Ligës së Kampioneve dhe, edhe nëse në këtë tur dështon, e ka të sigurt fazën e grupeve të veprimtarisë së dytë të klubeve të kontinentit, Ligës së Evropës. Kampionët e Shqipërisë mundën ekipi moldav të Milsamit me rezultatin 4-0 në total, teksa edhe ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Elbasan Arena” e fituan 2-0 duke përsëritur ndeshjen e parë.
Vitet e fundit, futbolli shqiptar ka pasur një rritje të nivelit për shkak se disa klube kanë investuar së paku 1 milionë euro në sezon. Por, imagjinoni një klub që garanton minimumi 6.1 milionë euro përfitime për edicionin pasardhës. Plot 6.1 milionë euro është shifra që do sigurojë Skënderbeu pas kualifikimit të djeshëm. Së pari, një arritje rekord, pasi asnjë klub shqiptar nuk ka mundur të ketë një ecuri kaq të suksesshme në veprimtarinë më prestigjioze të klubeve të Evropës.
Dhe, së dyti, një përfitim financiar i padëgjuar më parë një ekip të Superiores. Kështu, Skënderbeu kualifikohet kundër Milsamit dhe tashmë mbulohet me “ar” nga UEFA. Nëse vetëm një vit më parë, kampionët e Shqipërisë e mbyllën aventurën e tyre evropiane me vetëm 175 mijë euro, sivjet, ata kanë arritur të arkë tojnë 700 mijë, 300 mijë si rrjedhojë e pjesëmarrjes në raundin e dytë dhe 400 mijë të tjera, pasi arritën në turin e tretë të Ligës së Kampioneve, i cili korrespondoi me triumfin ndaj Krusejdërs.
Por këto 700 mijë euro mund të duken qindarka në lidhje me shumën, për të cilën korçarët do të luftojnë në fazën “play-off”, pasi mënjanuan edhe Milsamin. Po flasim për 5.4 milionë euro dhe kjo shumë vlen duke menduar për një eliminim të mundshëm, jo më për kualifikimin historik për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Pas suksesit të djeshëm, Skënderbeu, edhe në rast disfate i ka të garantuara 3 milionë euro nëse eliminohet nga faza e “play-off”-it, të cilave do t’i shtohen edhe 2.4 milionë euro të ardhura, nga kualifikimi direkt për në fazën e Ligës së Evropës.
Por nëse ëndrra vazhdon, pra nëse Skënderbeu kualifikohet për në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, atëherë 700 mijë eurove do t’i shtohen 2 milionë nga kualifikimi kundrejt rivalit të radhës, plus 12 milionë euro të tjera, për pjesëmarrjen në veprimtarinë më të rëndësishme kontinentale të futbollit të klubeve.