AlbanianSport.com 06.08.2015 17:55
ASNN – Skënderbeu i Korçës mundi sërish 2-0 moldavët e Milsamit dhe realizoi diçka që asnjë nga klubet shqiptare nuk e ka bërë deri tani. Korçarët u kualifikuan për në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve. Të sigurt skuadra e Mirel Josës ka kualifikimin këtë sezon në grupet e Ligën e Evropës. Nëse ëndrra do të vazhdojë edhe një tjetër tur, do të kemi të parën skuadër shqiptare në grupet e Ligës së Kampioneve.
Në “Elbasan Arena”, kampionët e Kategorisë Superiore luajtën si një ekip i madh, duke harruar që kishin fituar 2-0 në Moldavi, dhe duke sunduar lojën thuajse nga fillimi në fund. Hamdi Salihi e Gerhard Progni, për secilën pjesë loje, shënuan golat e një suksesi që sidoqoftë u përket jo vetëm korçarëve dhe tifozëve të tyre, por gjithë futbollit shqiptar.
Pas ndeshjes, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa është shprehur shumë i lumtur me kualifikimin, ndërsa fitoren ia ka dedikuar të gjithë futbollistëve për angazhimin dhe për realizimin e ëndrrës së të gjithë shqiptarëve. “Ëndrra u bë realitet, – është shprehur ai për mediat pas suksesit. Ishte ëndërr për të gjithë tifozët e Korçës dhe për të gjithë shqiptarët. Këtë fitore ia dedikoj futbollistëve për faktin se si është organizuar kjo skuadër.”
I pyetur nëse kjo skuadër është e gatshme që të mbërrijë edhe në grupet e Ligës së Kampioneve, Josa preferon të mbetet si gjithmonë, me këmbë në tokë. “Është herët për të folur që tani për Ligën e Kampioneve, – ka këmbëngulur ai. – Ne realizuam një qëllim kryesor dhe se çfarë do të bëjmë në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve, është një problem tjetër.”
“Kemi Superkupën e Shqipërisë përpara dhe mendojmë për atë, – ka shtuar kryeqytetasi i stolit korçar. – Na duhet edhe një trofe tjetër që ta marrim, pavarësisht se kush do të jetë përballë nesh.” Pyetjes se cilën prej skuadrave do të dëshironit përballë në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve, trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, i është përgjigjur shkurt dhe qartë: “Unë do të doja Sëlltikun”.